Site icon Telegrafi

Bislimi sqaron vonesat e disa pagesave nga Pakoja Emergjente Fiskale

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi tregon se vonesa e pagave e disa punëtorëve nga Pakoja Emergjente Fiskale është për faktin se të dhënat e tyre janë ngarkuar gabimisht në sistem gjatë aplikimit për të përfituar nga kjo pako.

Bislimi tregon se, një masë e punëtorëve i kanë marrë kompensimet të premten e javës së kaluar, kurse pjesa tjetër, sipas tij, do të paguhet sot.

“Ministria e Financave ka pranuar përmes platformës së saj në Administratën Tatimore të Kosovës aplikime nga 26,422 biznese për kompensim me nga 170 euro për punëmarrësit e tyre. Numri i përgjithshëm i punëmarrësve është 126,000. Nga këto 26.422 biznese, vetëm 4.4 për qind e tyre, ose 1,162 sosh kanë kërkuar kompensim në llogarinë e punëdhënësit (kjo për arsye se ata kanë dokumentuar që përkundër vështirësive, kanë paguar pagat e punëtorëve të tyre). Një masë e punëtorëve i kanë marrë kompensimet ditën e premte, pjesa më e madhe i marrin sot”, sqaron Bislimi në Facebook, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, disa kërkesa janë me vonesë dhe do të trajtohen në pjesën e dytë të aplikimeve.

“Kërkesa ka ardhur më vonë se tjerat dhe trajtohet në valën e dytë. Ka të tillë që kanë aplikuar për kompensim më shumë se një herë që nuk është ideja e pakos (për shembull një kontabilist i papërgjegjshëm ka futur veten në listat e punëtorëve të hiq më pak se 23 bizneseve, dhe natyrisht që këso tendenca për keqpërdorime të pakos nuk do lejohen)”, tregon Bislimi.

Lidhur me këtë, Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike tregon se janë bartur në llogari subvencionet për punëtorë bazuar në masën 3 të Pakos Emergjente Fiskale.

Sipas ministrisë, arsyeja pse ende këta punëtorë nuk i kanë marrë pagat se, bizneset gjatë plotësimit të formularit kanë shkruar llogarinë e tyre bankare e jo të punëtorëve.

Lexo po ashtu Vonesat e pagesave të punëtorëve nga Pakoja Emergjente, Ministria e Ekonomisë: Pronarët aplikuan me llogari të bizneseve

Po ashtu, komisioni i përbashkët Administratës Tatimore të Kosovës dhe MEPTINIS-it, i mandatuar me Vendimin 32/2020 nga Ministria e Financave dhe Transfereve, është duke i shqyrtuar kërkesat e tatimpaguesve, të cilët kanë aplikuar për të përfituar nga Pako Fiskale Emergjente.

Me këtë rast, ky komision njofton se tani mund të dërgoni kërkesat për korrigjime, nëse keni vërejtur se gjatë aplikimit për të përfituar në njërën nga masat 3a, 3b, 7, 8 dhe 14 të Pakos Fiskale Emergjent, u është përvjedhur ndonjë gabim i paqëllimshëm.

Vlera totale financiare e kësaj pakoje është 179.65 milionë euro.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje. /Telegrafi/

Exit mobile version