Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, priti në takim sot drejtoren rajonale të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder.
Zyra e Kryeministrit njofton se në takim ishte i pranishëm edhe menaxheri nga Banka Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Massimiliano Paolucci.
“Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu vlerësimin për kontributin që Banka Botërore ka dhënë për implementimin e Pakos Emergjente Fiskale gjatë vitit të kaluar, sidomos për pikat e pakos që kanë pasur karakterin e skemave sociale”, thuhet në njoftimin e bërë nga Zyra e Kryeministrit.
Më tej, në njoftim thuhet se në takim u bisedua për projekte të ndryshme të cilat mbështeten nga Banka Botërore e të cilat kryesisht lidhen me skema sociale e politika zhvillimore.
“Ndër të tjera u diskutua për mënyrat se si Qeveria mund të shfrytëzojë mjetet e mbetura monetare në lidhje me këto projekte dhe për fokusin e përbashkët që Qeveria dhe Banka Botërore e kanë në projektet që kanë karakter të mbrojtjes së mjedisit dhe ekonomisë së gjelbër”. /Telegrafi/