Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka quajtur hap pozitiv që Kosova ka kaluar votimin sot në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ai në një postim në rrjetin social X, ka theksuar se ky është lajm i mirë për vendin, demokracinë dhe vlerat evropiane.
“Komisioni i Çështjeve rekomandoi që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtar. Ky është një hap i rëndësishëm. Anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës do të ishte një lajm i mirë për ne, për demokracinë dhe vlerat evropiane”, shkroi Bislimi.
Sot është miratuar opinioni i raportueses Dora Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.
Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit.Të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta, ka shtuar ai.
Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.
Suksesi i sotëm hap rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit.
Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit.
Positive update in our path towards @coe. In today’s meeting, @PACE_Political Affairs Committee recommended for ?? to be invited to become a member. This is an important step. Our membership in the Council of Europe, would be good news for us, for democracy, and European values.
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) March 27, 2024