Telegrafi

Bislimi: Paratë e Pakos Emergjente nuk mund të përdoren për kontestet ligjore të Telekomit

Ish-ministri i Financave në Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, Besnik Bislimi ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Telekomin e Kosovës.

Bislimi më anë të një shkrimi në Facebook, ka thënë se paratë e ndara në kuadër të Pakos Emergjente nuk mund të përdoren për kontestet ligjore të kësaj ndërmarrje publike.

“Në kuadër të Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria Kurti, në masën e 4, ka ndarë 20 milionë euro si subvencionim për ndërmarrjet publike që ishin përballur me vështirësi financiare si pasoje e situatës emergjente të shëndetit publik. Masa kishte si synim ofrimin e likuiditetit të përkohshëm për këto ndërmarrje”, ka shkruar Bislimi, përcjell Telegrafi.

Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës mbrëmë ka dhënë dorëheqje, pasi përmbaruesi ka tërhequr nga xhirollogaria e kësaj ndërmarrjeje të gjitha mjetet që posedonte.

Bordi dorëheqjen e ka paraqitur përmes një letre dërguar kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrit të Ekonomisë, Blerim Kuçi. /Telegrafi/