Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Qeveria Kurti është në rrugë të mbarë për uljen e shkallës së papunësisë në nivel vendi.
Ai ka thënë se “deri më tani në aplikimet e tyre për masën 3, 8 dhe 14 të pakos emergjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërmarrjet e vendit kanë regjistruar gjithsej 9.946 punëtorë të rinj, ndërsa kanë lajmëruar se kanë larguar nga puna 1.268 punëmarrës”.
“Sipas statistikave zyrtare në fund të vitit që lamë pas, 130.289 individë kanë qenë të regjistruar si të papunë, dhe shkalla zyrtare e papunësisë ka qenë 25.9%. Ndryshimi mes të regjistruarve të rinj dhe atyre që kanë humbur vendin e punës bënë që numri i të papunëve brenda vetëm një muaji të ulet për 6.6% që përbën uljen më të madhe në 20 vitet e fundit. Kjo, nëse merret si ndryshimi i vetëm në këtë periudhë nënkupton që shkalla e papunësisë zyrtare (ende e nënvlerësuar) do të binte në nivelin e 24.1%”, ka shkruar Bislimi në Facebook.
Tutje në shkrimin e bërë, Bislimi ka theksuar se që nga viti 1999, shkalla e papunësisë në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e ulët se 24.5%. /Telegrafi/