Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.
Pas takimit, Bislimi tha se pala serbe ishte e interesuar të bisedojë vetëm për zbatimin e një pjese të Marrëveshjes Bazë, themelimin e Asociacionit.
“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe”.
“Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe. Petkoviq nuk ishte i interesuar as të bisedojë për planin e sekuencimit”, tha Bislimi për gazetarë pas takimit.
Ndër tjerash, Bislimi theksoi se me Lajçakun diskutuan edhe për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës.
“Pala kosovare mendon se Serbia në vazhdimësi po e saboton zbatimit e deklaratës së Kurtit dhe Vuçiqit. Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka treguar se Kosova po ec me detyrimet e saj, kurse Serbia ka zero angazhim. Ka kritikuar ashpër BE-në për mungesë totale të interesimit që të ecet para me marrëveshjen për të pagjeturit”, ka shtuar zëvendëskryeministri.
Kryenegociatori ka thënë se është folur edhe për hapjen e dy vendkalimeve të reja kufitare me Serbinë, ndërsa kanë kërkuar që të hapen edhe dy shtesë gjatë sezones së verës.
Për këtë, sipas tij Bashkimi Evropian do të përgatit propozim final.