Telegrafi

Bislimi optimist se barrikadat do të hiqen sonte, ose nesër

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi gjatë intervistës për Telegrafi.com / Foto: Ridvan Slivova

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është shprehur optimist se barrikadat e vendosura në veri të Kosovës do të largohen sonte apo nesër.

Ai tha se qytetarët e Kosovës do të kenë arsye për të festuar, teksa shtoi se protestat paqësore janë më të dobishme se sa vendosja e barrikadave.

“Ata do të donin t’i shihnin qytetarët në shtëpitë e tyre për të festuar me familjet e tyre dhe këto ditë janë në barrikada në mot të ftohtë. Jam shumë optimist që barrikadat do të hiqen sot dhe nesër dhe se njerëzit do të kenë një arsye për të festuar. Ne besojmë se nuk ka arsye për këto tensione. Nuk ka arsye për barrikada. Nëse ka qytetarë që shqetësohen për ngjarje të caktuara, një protestë paqësore mund të arrijë shumë më tepër, me shumë më pak përpjekje, sepse qeveria është e gatshme të diskutojë çfarëdo problemi që kanë qytetarët e Kosovës, të çfarëdo nacionaliteti”, tha Bislimi për Radio Kim.

Barrikadat, thotë ai, janë ngritur kryesisht për konfrontim, në mënyrë që “njerëzit në barrikada të tërhiqen lehtësisht dhe të mbrohen nga barrikada”.

“Kështu, këto barrikada janë ngritur në frymën e konfliktit dhe jo në frymën e një grupi më të madh të qytetarëve të pakënaqur. Prandaj mendoj se nga heqja e barrikadave më së shumti përfitojnë qytetarët e katër komunave në veri, sepse barrikadat i pengojnë fëmijët të shkojnë në shkollë. I pengojnë familjet të festojnë festat së bashku. Detyrojnë disa familje të zhvendosin pjesë të familjeve të tyre ose në jug të Kosovës ose në Republikën e Serbisë. Ne kemi marrë kërkesa nga disa familje që të zhvendosen në jugu. Kjo nuk është diçka që na duhet në fund të vitit 2022, na duhet diçka tjetër”, shton ai.

Bislimi deklaroi se nuk ka ultimatum për KFOR-in për heqjen e barrikadave.

“Para së gjithash, dëshiroj t’ju them se ky afat nuk është një afat kohor në kuptimin e ultimatumit. Janë dhënë disa ditë, dhe pastaj KFOR-i është dashur të përgjigjet brenda këtyre ditëve”, ka deklaruar Bislimi.