Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, u prit në Varshavë nga ministri për Bashkimin Evropian të Polonisë, Adam Szłapka. Në takim u diskutu për bashkëpunim të ngushtë dhe fuqizim të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe.
Sipas njoftimit nga ekzekutivi, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Polonisë ndaj Kosovës dhe veçanërisht procesit integrues të vendit tonë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian.
“Më tej, ai e njoftoi ministrin Szłapka me progresin e vendit tonë në katër vitet e fundit, gjersa theksoi edhe qëllimin e Kosovës për avancim tutje në rrugëtimin e procesit integrues si dhe vlerësimin e merituar të aplikimit për anëtarësim në BE, përmes marrjes së pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat”, thuhet në njoftim.
Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se mirëpret Presidencën e ardhshme të Polonisë të Këshillit të BE-së, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe fuqizim të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe.