Zëvendëskryeministri Besnik Bsilimi po merr pjesë në takimin e ministrave për çështje evropiane në Varshavë, i cili u organizua nga Presidenca e Polonisë e Këshillit të BE-së.
Bislimi ka njoftuar se temë diskutimi do të jenë kërcënimet e sulmeve hibride ndaj procesit të zgjerimit të BE-së dhe përballimi në mënyrë të përbashkët i sfidave që paraqiten.
Ai ka mbajtur një konferencë para këtij takimi ku përmendi sulmet që ndodhën në faqen e KQZ-së në ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt.
“Ne patëm zgjedhje në Kosovë javën e kaluar dhe e përjetuam drejtpërdrejtë këtë formë të kërcënimeve të sigurisë për sa i përket sulmeve në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por edhe në një frekuencë shumë të sofistikuar dhe intensive të shpërndarjes dhe prodhimit të informacioneve të rreme, shumë të sofistikuara për sa i përket çështjeve dhe kohës së përzgjedhur”, ka thënë Bislimi.
Bislimi ka theksuar se vendet tona mund të ndryshojnë në frekuencën dhe intensitetin e këtyre kërcënimeve për ne e kemi të gjithë të përbashkët praninë e tyre dhe prandaj sipas tij zgjedhja e duhur është që të gjithë së bashku të diskutojmë përgjigjen e mundshme ndaj këtyre kërcënimeve të sigurisë. /Telegrafi/