Site icon Telegrafi

Bislimi në hapjen e Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2024”: Kosova me një potencial shumë të madh për rritje

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, mori sot pjesë në hapjen zyrtare të Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2024”, që zhvillohet gjatë datave 29-31 maj, nën organizimin e Odës Ekonomike të Kosovës.

Në fjalën e tij hyrëse, zëvendëskryeministri Bislimi tregoi se panairet si ky, ndihmojnë në promovimin, rrjetëzimin e bizneseve lokale, ofrojnë mundësi të zgjerimit të tregut, tërheqin investitorë të rinj, dhe njëkohësisht shërbejnë si platformë për prezantimin e risive në prodhim, dhe shkëmbimin e njohurive.

Duke potencuar mbështetjen për 250 biznese në promovimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre në 41 panaire ndërkombëtare, ai shtoi se “Kosova është ende një shtet i ri, por me një potencial shumë të madh për rritje. Përkushtimi dhe puna jonë si Qeveri është e drejtuar rreth shfrytëzimit maksimal të këtij potenciali, e vizioni i së cilës është një ekonomi e qëndrueshme dhe e zhvilluar”.

Më tej, ai përmendi disa prej sukseseve e të arriturave përgjatë tre viteve të fundit në fushën e ekonomisë, si rritja mesatare ekonomike prej 6.2%, dyfishimi i investimeve të huaja direkte, rritjen e numrit të vendeve të punës për 20%, veçanërisht dyfishimit të punësimit të të rinjve, si dhe punësimin e mbi 12 mijë grave, 550 milionë euro të ekzekutuara në shpenzimet kapitale duke arritur nivelin më të lartë në historinë e vendit.

Ai tha se rritja me 58% e qarkullimit të bizneseve në 2023 krahasuar me vitin 2019 duke arritur një total prej 20 miliardë eurove si dhe subvencionimi i rreth 500 bizneseve, e ku 450 bizneseve u janë subvencionuar kreditë investuese në vlerë prej 12 milionë euro, ndërkaq 1,000 bizneseve u janë garantuar kreditë në vlerë totale prej 67 milionë euro.

“Secilit biznes që ka vendosur të bëhet pjesë e këtij panairi, i dëshiroj tri ditë produktive dhe përkthim të kësaj pjesëmarrjeje në më shumë prodhim, në më shumë punësim dhe më shumë fitim” përfundoi zëvendëskryeministri.

Në këtë ngjarje përveç kompanive dhe bizneseve vendore, morën pjesë ndër të tjera edhe kompani nga Finlanda, Luksemburgu, Gjermania, Austria, Republika Çeke, si dhe Arabia Saudite.

Exit mobile version