Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Athinë, është pritur në takim nga Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.
Zyra e Kryeministrit njofton se Bislimi e ka njoftuar Dendias mbi zhvillimet në lidhje me rrugëtimin e Kosovës në proceset e integrimit evropian dhe hapat e ndërmarra si dhe procesin e dialogut e takimin e fundit të mbajtur në Bruksel.
Po ashtu, ai ka përforcuar mesazhin e kryeministrit Albin Kurtit në solidaritet dhe mbështetje të Kosovës ndaj Greqisë pas aksidentit tragjik hekurudhor të ndodhur gjatë kësaj jave.
“Marrëdhëniet Kosovë-Greqi dhe mundësitë e thellimit të tyre u biseduan më tej gjatë takimit. Raportet e shkëlqyeshme ekzistuese mes vendeve tona mund të fuqizohen përmes bashkëpunimit në sfera të ndryshme me interes të përbashkët. Synimi ynë është të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe ndërveprimi me një vend mik dhe partner siç është Greqia”, thuhet në komunikatën për media. /Telegrafi/