Ish-ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka reaguar lidhur me mos shpërndarjen e mjeteve financiare të Pakos Emergjente Fiskale të parapara për periudhën e pandemisë COVID-19.
Bislimi më anë të një shkrimi në Facebook ka thënë se, mungesa e mjeteve financiare për pagesat e parapara në Pako është arsyetim joserioz i Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
“Pastaj ndodhi 3 qershori dhe gjithçka mori teposhtën me një ritëm pashpjegueshëm të shpejtë. Implementimi i Pakos Emergjente u ndalë, me arsyetimin joserioz se mungojnë mjetet. Arsyetimi është joserioz, meqë në fillim të qershorit, ne kishim identifikuar mjetet të cilat do të viheshin në përdorim për implementimin komplet të Pakos”, ka shkruar Bislimi, përcjell Telegrafi.
Kujtojmë se Qeveria e kaluar e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti kishte miratuar Pakon Emergjente Fiskale për të mbështetur bizneset dhe individët të cilët kanë hasur vështirësi gjatë pandemisë COVID-19.
Në këtë Pako është paraparë që punëtorët të përfitojnë nga 170 euro për dy muaj, përkatësisht prill dhe maj. Deri më tani, edhe pas krijimit të qeverisë së re, shumë biznese dhe punëtorë ende nuk i kanë marr pagesat e premtuara. /Telegrafi/