Site icon Telegrafi

Bislimi: Kur morëm detyrën, s’kemi gjetur dokumente për dialogun

Në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë po raporton zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, lidhur me vizitën në Bruksel.

Ky i fundit ka thënë para anëtarëve të komisionit se për vizitën në Bruksel ka dërguar raport me shkrim krerëve të shtetit, kryetarëve të partive dhe atyre të komisioneve përkatëse. Por një të të tillë e kanë mohuar anëtarët e PDK-së.

Ariana Musliu-Shoshi nga kjo parti ka theksuar se deri më tani po thuhet se nuk ka pasur dialog në Bruksel, por ata të cilët janë takuar atje, kanë shkruar ndryshe.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi tha se nuk ka pasur dialog vetëm se ekipi ka pasur nevojë të informohet se çfarë ka ndodhur pasi nuk kanë gjetur asnjë dokument, transmeton KosovaPress.

“Nuk ka pasur dialog por ka pasur nevojë që ekipi ynë të informohet se çfarë ka ndodhur. Ne kemi gjetur zero dokumente për dialogun pasi e kemi formuar qeverinë e re. Kemi grumbulluar dokumente të cilat kanë qenë sporadike. Kam provuar të takojë edhe Edita Tahirin, e cila ka mohuar se çështja është e ndjeshme. Është obligim që të barten informatat. Kur e kemi takuar Skender Hysenin ka thënë se kanë përgatitur një dosje. Në këtë dokument nuk ka asgjë konkrete, përveç se takimi është shumë i mirë, jemi nisur në këtë kohë. Por nuk ka pasur substancë”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka shtuar se Lajçak ka qenë i gatshëm që të dorëzojë të gjitha dokumentet që ka, ku me të njëjtin ka pasur dy takime.

Kryetari i komisionit, Haki Abazi ka insistuar të dijë në lidhje me atë se a është përmendur Asociacioni i komunave serbe nga Ana Maria Boura, dhe a është pranuar nga paraardhësit.

“Nuk ka dhënë opinion të veta. Nuk ka folur as për kompetenca, Asociacioni është shpjeguar nga një nga zyrtarët e Lajçak”, ka shtuar ai.

Anëtari i komisionit, Xhavit Haliti tha se nuk e ka të qartë cilësinë e Besnik Bislimit për dialog.

“Temat për të cilat duhet të përgatiteni dhe të përgjithshme, cilat janë? A keni informacion çfarë dhe kur do të fillojë”, ka pyetur Haliti.

Exit mobile version