Site icon Telegrafi

Bislimi: Kosova e interesuar të jetë shembull në zbatimin e Agjendës së Gjelbër në Ballkan

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova është e interesuar që të jetë shembull në zbatimin e Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor.

Këtë deklaratë ai e ka dhënë të martën, në konferencën me temë “Konektiviteti i gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, organizuar në kuadër të edicionit të pestë të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë.

“Republika e Kosovës është e interesuar të jetë shembull në zbatimin e Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor, e cila është e reflektuar në kuadër të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) dhe Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (PKZMSA)”.

“Vlen të theksohet që kjo agjendë po përkthehet në kuadër të strategjive të ndryshme sektoriale, ku po integrohen masat konkrete për të kontribuar në një zhvillim të qëndrueshëm”, u shpreh Bislimi.

“Qeveria e Kosovës synon që shumica e fondeve IPA të orientohen në projekte konkrete, kryesisht në infrastrukturë e zhvillim ekonomik, ku projektet e lidhura me Agjendën e Gjelbër do të kenë prioritet. Për këtë qëllim, në kuadër të fondeve IPA 2021 dhe IPA 2022, janë planifikuar 58 milionë euro fonde të BE për agjendën e gjelbër, ku do financohet menaxhimi i integruar i mbeturinave dhe ekonomia qarkore, trajtimi i ujërave të zeza për kryeqytetin dhe efiçenca e energjisë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Më tej, Bislimi theksoi se si Qeveri, kanë avancuar kornizën ligjore dhe kornizën e politikave përmes koncept dokumenteve, të cilat së bashku japin një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim.

“Momentalisht jemi duke punuar në draftimin e Strategjisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillim të Qëndrueshëm 2022-2030, e cila synon ruajtjen e mjedisit, ajrit, biodiversitetit dhe pritet të përfundohet brenda këtij viti. Paralelisht, institucionet janë duke punuar në hartimin e një programi dhe plani për mbrojtjen e konsumatorëve, me qëllim të adresimit edhe të sfidave sociale të vendit”.

“Fokusi i Qeverisë, është në fuqizimin e mekanizmave të cilat sigurojnë rritjen e nivelit të zbatimit të legjislacionit të politikave përmes transparencës dhe gjithëpërfshirjes në proceset vendimmarrëse”.

“Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se të gjitha këto masa të ndërmarra kontribuojnë në zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, si prioritet i cili avancon përpjekjet tona të përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm në nivel rajonal. Bashkëpunimi rajonal ka rëndësi të veçantë në avancimin e vendeve tona në procesin e integrimit evropian, zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”./Telegrafi/

Exit mobile version