Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndërmarrë hapa ndaj Serbisë, pas miratimit të një projektligji nga qeveria serbe që synon të rregullojë organizimin dhe kompetencat e autoriteteve gjyqësore serbe për ndjekjen penale të veprave të kryera në Kosovë.
Përmes një postimi në platformën X, Bislimi ka theksuar se kjo lëvizje e Serbisë, bashkë me veprime të tjera të ngjashme, është një përpjekje për të penguar procesin e dialogut dhe shkelur parimet e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Shteti serb, nga njëra anë, paraqitet si i përkushtuar ndaj dialogut për të marrë përfitime financiare nga BE-ja, ndërsa në anën tjetër, vazhdon të minojë marrëveshjet, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, duke bllokuar rrugën drejt normalizimit,” ka shkruar Bislimi.
Ai përmendi përshkallëzimet e Serbisë, përfshirë sulmin në Banjskë, barrikadat në veri dhe vendosjen e ushtrisë serbe në gatishmëri të lartë pranë kufirit me Kosovën, duke e cilësuar këtë projektligj të fundit si një hap të rrezikshëm që ekspozon konstruktivitetin e rremë të Serbisë.
Bislimi i bëri thirrje BE-së që të japë një përgjigje të vendosur ndaj këtyre veprimeve, duke pyetur: “Cili është perceptimi i BE-së për fytyrën e vërtetë të Serbisë?”/Telegrafi/
1/7 Serbia continues the obstruction of the dialogue process, violating the principles and spirit of the agreements, lastly, through the persecution bill presented yesterday by their government.https://t.co/nq1Y7xyBUa
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) October 29, 2024