Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi të enjten se kërkesat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk kanë për qëllim integrimin e serbëve lokalë, por sipas tij, synimi është të vendoset një “Kalë i Trojës” në Kosovë.
“Kosova ka paralajmëruar vazhdimisht komunitetin ndërkombëtar për arsyet e vërteta pse Serbia insiston në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Asociacioni nuk kishte për qëllim asnjëherë të integronte serbët vendas në Kosovë, por të jetë si ‘Kali i Trojës’ së Beogradit për ta bërë vendin jofunksional, duke përgatitur kështu rrugën për ndarje”, ka shkruar Bislimi në Twitter.
Ai ka thënë se krijimi i Asociacionit është i domosdoshëm për politikë-bërësit serbë, pasi “ofron një bërthamë për qëllimin shekullor të bashkimit të kombit serb”.
Bislimi është mbështetur edhe në një “non paper” të kohëve të fundit të hartuar nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, i cili siç ka thënë, shpjegon në mënyrë të përsosur këmbënguljen e Beogradit për Asociacionin.
“‘Non-paperi’ i fundit i draftuar nga Akademia e Shkencave dhe e Artit e Serbisë (nga Vasilije Krestiq, anëtare e plotë) ofron dëshminë më të fuqishme deri më tash për qëllimet e vërteta të Serbisë prapa insistimit për Asociacionin në Kosovë”, ka shkruar tutje ai.
Tutje, zëvendëskryeministri kosovar ka thënë se themelimi i Asociacionit nuk është objektiv në vetvete, por përkundrazi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt qëllimit kryesor të një “bote serbe” (“Srpski svet”) që përkon me territorin e ish-Jugosllavisë.
“Plani fillestar i Asociacionit është i parëndësishëm, pasi kompetencat e tij do të evoluojnë dhe do të shfrytëzohen për shkak të mbështetjes financiare të Beogradit si dhe mungesës relative të mbikëqyrjes nga Qeveria e Kosovës. Këto kompetenca do të çojnë përfundimisht në një Republika Srpska të re me qëllimin e ndarjes territoriale. Kjo pastaj do ta detyrojë komunitetin ndërkombëtar të njohë ekzistencën e dy entiteteve kombëtare në Kosovë dhe autonominë absolute në zonat e Asociacionit”.
“Kjo autonomi do të bëjë që serbët të kenë zero nevojë për të ndërvepruar me Qeverinë e Kosovës, duke e bërë kështu Asociacionin një ‘vezë qyqeje’ në territorin e Kosovës. Serbia beson se avantazhi kryesor krahasues që ka aktualisht dhe duhet ta shfrytëzojë, është epërsia ekonomike në rajon. Në rrethanat aktuale, qëllimi përfundimtar i “botës serbe” nuk mund të realizohet vetëm me mjete politike. Duhet të shfrytëzohen edhe mjete të tjera, duke përfshirë mekanizmat fetarë me potencial për ndikim politik në vendet fqinje ku vepron Kisha Ortodokse Serbe”, ka përfunduar Bislimi. /Telegrafi/
The recent “non-paper” drafted by the Serbian Academy of Sciences & Arts (by Vasilije Krestic, full member, https://t.co/hMEOxbAPkv) provides the strongest evidence thus far on the true intention behind Serbia's insistence on ASMM in Kosovo. 2/10
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) June 8, 2023