Site icon Telegrafi

Pse s’u lejua të kandidojë për kreun e LDK-së, flet Faton ​Bislimi

Faton Bislimi theksoi se festa e LDK-së do të ishte më madhështore sikur në Kuvendin e sotëm zgjedhor të kësaj partie ai do të debatonte me Lumir Abdixhikun.

Pas rizgjedhjes së kryetarit të kësaj partie Lumir Abdixhikut dhe pamundësisë së tij për të kandiduar për këtë pozitë, Bislimi u shpreh se kandidaturën e tij e ka dorëzuar të hënën e kaluar, përmes një shkrese dërguar Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Vendimi i sotëm për të mos lejuar kandidaturën është antistatutar, sipas mendimit tim. Por kjo nuk do të thotë që e pamundëson vazhdimin e punës sime për të mirën e LDK-së, për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe mbi të gjitha, për t’i ofruar Kosovës një alternativë, e cila e çon drejt një rrugëtimi euroatlantik”, deklaroi ai.

Bislimi tha se programi i tij do të ishte mënyra më e mirë për të treguar se LDK ka demokraci të brendshme.

Tutje, theksoi se programi “Rruga e Re” është për qeverisjen e Kosovës e jo për udhëheqjen e LDK-së.

Lexo po ashtu Lumir Abdixhiku rizgjidhet kryetar i LDK-së

“Unë besoj se rruga rugoviste vazhdohet vetëm në frymën e inkluzivitetit, në frymën e përbashkimit, në frymën e konkurrencës. Konkurrenca është themel mbi të cilin ndërtohet demokracia e mirëfilltë. Mohimi i konkurrencës, mendoj, frikoj i rrënon këto themele”, shtoi ai.

Ndryshe, Faton Bislimi kishte paralajmëruar kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së në Kuvendin e sotëm zgjedhor të kësaj partie, por që nuk i ishte lejuar pasi nuk është delegat i zgjedhur.

Më herët, nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri komentoi pretendimin e Faton Bislimit për të qenë kandidat për kryetar të LDK-së.

Ai tha se “ata që nuk kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor, nuk janë kandidatë”.

“A keni dëgjuar ndonjë parti të ndodhë të vijë dikush tjetër dhe të thotë po dua të bëhem kryetar i partisë dhe të bëhem delegat. Shko pyeteni këta në LVV a ka bërë vaki, ose në PDK ose në Aleancë… Ke qenë pjesë po nuk ke marrë pjesë në proces zgjedhor, nuk je kandidat”, tha Muhaxheri.

Exit mobile version