Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë një takimi sot në Bruksel ka informuar komisionarin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, për vendimin e Kosovës për aplikimin për anëtarësim në BE brenda këtij viti, duke thënë se tani është momenti për të formalizuar dhe dorëzuar aplikimin.
Bislimi tha se integrimi në Bashkimin Evropian është prioritet dhe synim strategjik për Republikën e Kosovës.
“Kemi angazhimin e përkushtimin e plotë në intensifikimin e përpjekjeve tona dhe vazhdimit të forcimit të kapaciteteve institucionale në këtë drejtim”, tha ai.
Duke folur rreth asaj se Kosova gjendet tashmë në vitin e gjashtë të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Bislimi tha se niveli i përgatitjes dhe gatishmërisë së institucioneve tona është më i lartë se ai i vendeve të rajonit, në momentin e hedhjes së hapit formal të aplikimit për anëtarësim në BE.
“Ne jemi të përkushtuar të tregojmë me të gjitha kapacitetet tona, vullnetin për të ecur përpara drejt BE-së. Avancimi në rrugën drejt BE-së do të thotë edhe përforcim i institucioneve e ecja në trajektoren e progresit në sundim të ligjit, demokratizim, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat sociale, zhvillim ekonomik, kohezion shoqëror e vendi ynë po bën pikërisht këtë. Raporti për Vendin 2022, riafirmon të arriturat në këto fusha, që përfshijnë dhe periudhën e parë të plotë të raportimit mbi qeverisjen Kurti”, tha Bislimi.
Bislimi e falënderoi komisionarin Varhelyi për mikpritjen dhe bisedën e frytshme, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin dhe proceset e integrimit evropian të Kosovës./Telegrafi/