Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur të enjten në takim Komisioneren për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Dunja Mijatoviq.
Siç njofton Qeveria, gjatë këtij takimi ndër të tjera është diskutuar edhe për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës
“Komisionerja Mijatoviq u shpreh falënderuese për mikpritjen nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, gjatë punës së saj monitoruese për të drejtat e njeriut, si dhe fushat që kanë të bëjnë me drejtësinë tranzicionale, kohezionin social, liritë e mediave dhe barazia gjinore. Gjithashtu, u përshëndet dhe puna e Qeverisë për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës”.
“Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi Komisioneren Mijatoviq rreth angazhimit të vazhdueshëm dhe përkushtimit të Qeverisë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, thuhet në komunikatën për media.
Në takim thuhet se është diskutuar edhe mbi avancimin e barazisë gjinore dhe rëndësinë e kuotave të grave në institucione publike të Kosovës.
“Zëvendëskryeministri Bislimi foli edhe mbi bashkëpunimin që tashmë Kosova e ka përmes institucioneve ku është anëtare, siç janë Komisioni i Venedikut dhe Banka e Këshillit të Evropës, si dhe aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”./Telegrafi/