Site icon Telegrafi

Bislimi akuzon Serbinë për legjitimim të praktikave diskriminuese ndaj shqiptarëve

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka akuzuar Serbinë se po legjitimon siç u shpreh ai “praktikat e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë”.

Në një postim në X, Bislimi u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë  për qytetarin Safet Demiri, legjitimon praktikat diskriminuese që prekin adresat e shqiptarëve.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë për Safet Demirin legjitimon praktikat diskriminuese të pasivizimit të adresave që synojnë shqiptarët. Ky vendim shkel të drejtat themelore të njeriut dhe tregon pse shqiptarët nuk kanë besim në sistemin gjyqësor dhe ngurrojnë të nisin procese ligjore”, ka shkruar Bislimi.

Lexo po ashtu Lutfiu: Gjykata Kushtetuese e Serbisë legalizoi pasivizimin e adresave të shqiptarëve

Sipas Bislimit, interpretimi diskriminues i të drejtave të shqiptarëve ilustron mungesën e demokracisë dhe të drejtave të pakicave në Serbi.

“Këto citime nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese janë shembulli perfekt se si gërryhen të drejtat e shqiptarëve përmes interpretimeve të padrejta e diskriminuese, duke treguar mungesën e demokracisë, të drejtave themelore  të njeriut dhe të drejtave të pakicave në Serbi”, ka shkruar Bislimi. /Telegrafi/

 

Exit mobile version