Site icon Telegrafi

Biserko: Në Serbi të gjithë e duan ndarjen e Kosovës

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, thotë se kur bëhet fjalë për Kosovën, i vetmi opsion që përfaqëson Beogradi zyrtar dhe të gjithë akterët e tjerë në Serbi, është ndarja e Kosovës, por shton se diçka e tillë tani është hequr nga rendi i ditës.

“Faktori ndërkombëtar megjithatë ka vlerësuar se ky opsion është shumë i rrezikshëm dhe se hap shumë probleme, të cilat zhvlerësojnë arkitekturën e Ballkanit në të cilën Perëndimi është angazhuar për 20 vjet (NATO-s, BE-së dhe Këshilli i Evropës). Jo vetëm që vihet në pikëpyetje siguria e Ballkanit, por kjo paraqet rreziqe serioze të sigurisë edhe për Evropën”, tha Biserko.

Ajo i ka thënë gazetës serbe “Danas” se në planin e brendshëm [Serbisë] Kosova gjithmonë ka qenë një instrument i mbijetesës në pushtet, përcjell Telegrafi.

“Opozita aktuale po përpiqet ta akuzojë Vuçiqin për tradhti, gjoja për shitjen e Kosovës dhe e akuzon atë për marrëveshje të fshehtë dhe mungesë të transparencës. Mbase kështu do të vazhdojë të veprojë [opozita në Serbi]. Akuzat për tradhti ndaj Kosovës vetëm tregojnë se Serbia nuk e ka pranuar realitetin dhe se në thelb nuk është përcaktuar për anëtarësim në BE. Sepse normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është kusht për anëtarësimin e Serbisë”, thotë Biserko. /Telegrafi/

Exit mobile version