Site icon Telegrafi

Bisedimet për PSP-në ende larg marrëveshjes (Video)

Heshtje totale mbizotëron si në kampin qeveritar ashtu edhe në atë opozitar, një ditë pasi liderët e dy partive më të mëdha në vend dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth përparimit në bisedimet për Prokurorinë Speciale. Asnjëra palë nuk jep asnjë informatë nëse janë takuar grupet punuese partiake dhe në çfarë formati, pas takimit të fundit kur u njoftua se takimet e radhës do të bëhen larg fokusit të mediave dhe në format ndryshe nga i deritanishmit.

Nga takimi i fundit ministrja Deskoska tha se palët kanë arritur përparim në bisedimet për statusin e PSP-së, ndërsa vështirë shkojnë për pjesën e proceseve të hapura dhe argumentet nga bisedat e përgjuara. Pas kësaj deklarate kur në opinion u krijua përshtypja se bisedimet rreth PSP-së shkojnë në drejtim të zgjidhjes, ishin liderët e dy partive më të mëdha ata që ndryshuan atmosferën. Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, akuzoi ministren e drejtësisë Renata Deskoska dhe Qeverinë se nuk dëshirojnë të arrijnë marrëveshje për Prokurorinë Speciale Publike. Ai tha po ashtu se nuk është e vërtetë as deklarata se nga ligji për prokurorinë varet edhe marrja e datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Mickovski publikisht i bëri thirrje Deskoskës dhe Qeverisë që të pranojnë amendamentet e tyre dhe të votojnë ligjin e ri të prokurorisë. Për dallim nga lideri i opozitës, kryeministri Zoran Zaev dje tha të kundërtën. Ai përveç që konstaton përparim të vogël, është edhe optimist se marrëveshja do të arrihet së shpejti, ndërsa pritjet e tij shkojnë deri aty sa shpreson që edhe ligji të miratohet para zgjedhjeve presidenciale. Bisedimet vijojnë dhe ka pak përparim.

Do ta lë që për këtë të komentojnë ministrja e drejtësisë dhe përfaqësuesit e OBRM-PDUKM-së të cilët negociojnë për momentin, tha Zaev, duke rikujtuar se paralelisht zhvillohen bisedime edhe me deputetët dhe grupet e tjera parlamentare për të siguruar dy të tretat e nevojshme për miratimin e ligjit të ri./Shenja/

https://www.youtube.com/watch?v=QyP3Hylsu4U

Exit mobile version