Telegrafi

Bisedimet e Juves për kontratën e Chiesas akoma ‘të ngrira’

(Foto: Instagram/fedexchiesa)

Edhe pse Federico Chiesa ka treguar formë të mirë gjatë turneut amerikan të Juventusit, akoma nuk ka bisedime në lidhje me kontratën e re.

Bianconerët janë të gatshëm t’i dëgjojnë ofertat për anësorin italian, sikurse edhe për Dusan Vlahovicin, si pjesë e projektit të ri nën drejtimin e drejtorit sportiv, Cristiano Giuntoli.

Derisa sulmuesi serb mund të transferohet te Chelsea, me Romelu Lukakun që pritet të shkojë në drejtim të kundërt, gjërat kanë qenë më të qeta për Chiesan, i cili thuhet se ka refuzuar një ofertë luksoze nga Arabia Saudite.

Lexo po ashtu Juventusi dhe Barcelona shumë afër shkëmbimit të yjeve

Gazzetta dello Sport detajon se Massimiliano Allegri dëshiron ta bëjë 25-vjeçarin pikë fokusi për projektin e Juventusit dhe shpreson ta rishfaqë formën që e ka pasur para se ta lëndonte ligamentin e përparmë kryqëzues të gjurit.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, Zonja e Vjetër nuk është duke zhvilluar bisedime për kontratën e tij, e cila është valide edhe për dy sezone. /Telegrafi/