Telegrafi

Bisedime midis zyrtarëve amerikanë dhe evropianë për Brexit-in

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, do të qëndrojë sot në Bruksel dhe Londër për të biseduar rreth Brexit-it apo daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Të dielën në Romë, ai i ka bërë thirrje Britanisë dhe BE-së që të punojnë së bashku për të qetësuar tregjet, pasi dalja e Britanisë nga blloku evropian ka shkaktuar ankth në mesin e investitorëve në gjithë botën.

Po sot, kryeministri britanik, David Cameron, i cili ka thënë se do të japë dorëheqje këtë vjeshtë, do t’i adresohet Parlamentit britanik.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, do të takojë po ashtu presidentin e Francës, Francois Hollande, dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, transmeton Rel.

Monedha britanike sterlina ka vazhduar të humbë në vlerë edhe sot.

Të premten, sterlina ka pasur rënien më të madhe njëditore kundrejt dollarit – në një fazë ajo ka rënë në 1,3236 $.