Nga: Sarah Watling / The Daily Telegraph (titulli origjinal: The glamorous twins pursued by Camus, Orwell and Koestler)
Përkthimi: Telegrafi.com
E bukur, e kulturuar dhe e rrënuar nga sëmundja në kulmin e jetës, Mamaine Paget ishte fantazma magjepsëse që duhej të ndiqej. Ariane Bankes e di këtë mirë, meqë u rrit me mungesën e tezes. “Mamaine ishte e treta në hije në marrëdhënien tonë”, shkruan ajo për jetën me nënën e vet, Celia. Të mbetura jetime në moshën 12-vjeçare, pas një fëmijërie jo të rëndomtë dhe të izoluar, binjaket Paget ishin shtyllat kryesore të njëra-tjetrës – në të gjitha rastet e trazuara të cilat Bankes i rrëfen në veprën Cilësia e dashurisë [The Quality of Love], një vepër kjo që nderon jetën e të dy grave.
Bankes është me fat që ka një sërë letrash të dashura të cilat babai i vajzave i la, duke dokumentuar kështu fëmijërinë e tyre. Nëna e tyre vdiq një javë pas lindjes së vajzave, megjithatë vajzat duket se kishin gjithçka që kërkonin për lumturinë: qasje në bibliotekën e babait, disa kafshë shtëpiake, njëra-tjetrën. Idili përfundoi me rënien e shëndetit të babait, për çfarë u dërguan në konviktin e urryer nga ku morën vesh për vdekjen e tij disa muaj më vonë. U morën nën kujdes nga xhaxhai i pasur dhe përfundimisht, pa dëshirë, u futën në “shoqëri”. Arratisja erdhi nëpërmjet aferës që Mamaine kishte Dick Wyndhamin, i cili i njoftoi me shkrimtarë, piktorë dhe muzikantë të Londrës.
Nga këtej e tutje, Cilësia e dashurisë formësohet nga burrat në jetën e motrave. Emrat ishin mbresëlënës – mes admiruesve, motrat mund të numërojnë emrat Albert Camus, George Orwell, Edmund Wilson dhe Jeremy Hutchinson. Pjesa më e madhe e jetës së Mamaines do të drejtohej nga ngatërresa e gjatë me Arthur Koestlerin, me të cilin ajo përfundimisht u martua (dhe u shkurorëzua).
Në moshën 21-vjeçare fituan trashëgiminë dhe blenë së bashku një shtëpi në Londër; kur lufta nisi, arritën të gjenin punë si infermiere në një spital në Eseks. Më vonë, Mamaine punoi për Ministrinë e Ekonomike të Luftës, duke ndihmuar në prodhimin e “propagandës së zezë” që do të hidhej në Gjermani, ndërsa Celia nisi punën në revistën ikonike Horizon.
Në vitin 1944, Mamaine u njoh me Koestlerin në një festë të organizuar nga redaktori i Horizon-it, Cyril Connolly. Shkrimtari me origjinë hungareze kishte bërë emër si kritik i sundimit të Stalinit në Rusi; i kishte mbijetuar burgimit në Spanjën e Frankos dhe së fundi kishte botuar romanin Mbërritja dhe nisja [Arrival and Departure] që trajtonte fatin e hebrenjve nën nazistët. Ashtu si emrat e tjerë të mëdhenj të epokës, shqetësimi i thellë për vuajtjet e të tjerëve nuk shtrihej te gratë të cilat ai keqtrajtonte. Bankes e përmend në pak raste reputacionin e Koestlerit për mizorinë seksuale ose akuzat e bëra ndaj tij për sulm. (“Nuk ka kënaqësi pa një element të përdhunimit fillestar”, e informoi ai Mamainen pas natës së tyre të parë së bashku.)
Megjithatë, pranon se për Mamainen, vitet që çifti kaloi në Uells, pas luftës, ishin të tilla që atë nuk e përmbushnin – si kujdesi ndaj shtëpisë dhe duke vepruar si “sekretare, skribe ose vesh” për partnerin e saj të rrëmbyeshëm. Te motra Mamaine u shpreh për kompromiset e jetës së re dhe arsyet e saj për t’i bërë ato: “Mendoj se K është person shumë i vlefshëm”. Nëpërmjet Koestlerit motra u takua me Camusin, me të cilin do të kishte një lidhje të shkurtër, por domethënëse, dhe me të cilin u krijua një miqësi e gjatë dhe e dashur.
Të dy motrat vuanin nga astma, por në vitin 1954 shëndeti i Mamaines ishte veçanërisht i pasigurt. U shtrua në Spitalin e Kolegjit Universitar ku i erdhi lajmi i keq se Orwelli kishte vdekur. Vazhdoi të shkruante një mori letrash zbavitëse për miqtë, por brenda disa javëve edhe ajo vdiq. Celia ishte e dërrmuar. “Thuajse kam vdekur vetë dhe ende jam gjallë për të vuajtur”, shkroi ajo.
Më vonë ajo i tha Camusit: “E di se Mamaine ndjeu, ashtu si unë, se dashuria është e vetmja gjë që i jep jetës kuptim dhe se e bën të vlefshme për ta jetuar”. Është kjo ajo që ia jep temën kryesore veprës Cilësia e dashurisë. Derisa lexuesit do të kishin mirëpritur më shumë detaje rreth karrierës botuese të Celias dhe të udhëtimeve të Mamaines në momentet historik, janë të dukshme hijeshia dhe talenti i motrave për miqësi, teksa yjet e ndryshëm të qiellit intelektual evropian të pasluftës kalojnë nëpër faqet e librit. Mbi të gjitha, pasurohet nga korrespondenca midis binjakeve – sepse, në fund të fundit, historia e madhe e dashurisë është vetëm mes tyre. /Telegrafi/