Themeluesi i Microsoft dhe miliarderi, Bill Gates, ka shkaktuar një pakënaqësi në mesin e përdoruesve të Reddit, duke deklaruar se kriptovalutat janë një teknologji e rrallë që “ka shkaktuar vdekjen në një mënyrë mjaft të drejtpërdrejtë”. Ai këtë e tha gjatë një sesioni për përdoruesit e Reddit si pjesë e një AMA (Ask Me Anything), shkruan Telegrafi.
Gates, kriptovalutat i përshkruan si ‘jo një gjë e mirë’, sepse ata do të mbështesin njerëzit që donin të fshehin transaksionet e tyre financiare dhe se ata do të ‘revolucionarizojnë’ pastrimin e parave, terrorizmin dhe trafikun e drogës.
“Tipari kryesor i kriptovalutave është anonimiteti i tyre. Unë nuk mendoj se kjo është një gjë e mirë. Mundësia dhe aftësia e qeverisë për të ndaluar pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe financimin e terrorizmit është një gjë e mirë. Tani për tani, kriptovalutat përdoren për blerjen e Fentanilit [është një qetsues që përdoret si ilaç për dhimbje dhe së bashku me ilaçe të tjera për anestezi] dhe barnave të tjera kështu që është një teknologji e rrallë që ka shkaktuar vdekje në një mënyrë mjaft të drejtpërdrejtë. Unë mendoj se vala spekulative rreth Ofertave Fillestare të Monedhave dhe kriptovalutave është tepër e rrezikshme për ata që vazhdojnë më tutje”, ka shkruar Gates në Reddit.
Mirëpo, Gates-it është pritur me kritika të ashpra dhe është këshilluar që ai ta lexon ‘White Papper’-in [është një raport apo udhëzues që informon lexuesit në mënyrë të përmbledhur për një çështje komplekse dhe paraqet filozofinë për këtë çështje dhe ka për qëllim të ndihmojë lexuesit të kuptojnë një çështje, të zgjidhin një problem ose të marrin një vendim] e Bitcoin.
Ndërsa, ai mbetet skeptik ndaj kriptovalutave, Blockchain mbetet një teknologji me interes për Microsoft. Gjatë vitit të kaluar, Microsoft mori disa iniciativa biznesi të lidhura me teknologjinë Blockchain. /Telegrafi/