Themeluesi i Amazonit shumë shpejt mund ta heq themeluesin e Microsoftit, Bill Gates, nga froni i më të pasurit në botë.
Aksionet e Amazonit gjatë këtij viti janë rritur me një të tretën, ndërsa të premten e kaluar për herë të parë i ka tejkaluar njëmijë dollarët. Vlera totale e kompanisë është 485 miliardë dollarë.
Jeff Bezos, që mban 17 për qind të aksioneve, është gati ta arrijë pasurinë e Gatesit. Sipas Indeksit të miliarderëve të Bloombergut, pasuria e Bezosit nga fillimi i vitit është rritur për 20 miliardë dollarë, kështu që tash peshon 86 miliardë. Nga Gatesi me 89.9 e ndajnë “pak miliardë”. Kështu, pritet që në ditët e ardhshme Bezos të arrijë Gatesin në fronin ku vështirë se do të kthehet, shkruan Huffington Post, transmeton Telegrafi.
Parashikohet që në të ardhmen Bezos për vendin e parë të luftojë me Mark Zuckerbergun, themeluesin e Facebookut, i cili vlen 65 miliardë dollarë dhe që veç në këtë vit ka shtuar pasurinë për 15 miliardë.
Amazon është themeluar më 1994, por shpejtë është rritur në kompaninë e katërt më të vlefshme në botë. Para Amazonit tash janë: Apple, Alphabet dhe Microsoft.
Biznesin me Amazoniin ai e nisi në një garazh në Seattle – me libra fillimisht e pastaj ushqim, veshmbathje, elektronikë… dhe prodhime të tyre. Kompania ka blerë Washington Postin, ka themeluar agjencinë për udhëtime hapësinore, Blue Origin, dhe fondin që investon në kompanitë, si: Airbnb, Uber dhe Business Insider.
Në çdo raport vjetor për veprimtarinë e kompanisë, Bezos përdor letrën që ua ka dërguar aksionarëve në vitin 1997 në të cilën shpjegoi qasjen e tij ndaj biznesit dhe menaxhimit të Amazonit. Në vend të përfitimit afatshkurtër, Bezos gjithmonë thotë se është fokusuar në sukses afatgjatë dhe pozitën udhëheqëse në treg.
Duke parë gjendjen e tashme të Amazonit, qasja e tillë është shpaguar. /Telegrafi/