Site icon Telegrafi

Bill Clinton thur lavde për ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka reaguar pas vdekjes së ish-sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright.

Në një shkrim në Twitter, Clinton tha se Albright ishte një Ambasadore e shquar e OKB-së, një profesore e shkëlqyer dhe një qenie njerëzore e jashtëzakonshme.

“Para rreth tre viteve, ne bëmë udhëtimin tonë të fundit të përbashkët për të festuar 20 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku ata i dedikuan një bust në qendër të Prishtinës. Ajo kishte një ditë të veçantë në Prishtinë”, tha Clinton.

Albright vizitoi Kosovën në korrik të vitit 1999, një muaj pas përfundimit të luftës.

“Duke u ngritur kundër [ish-liderit serb, Sllobodan]Millosheviqit, i kemi ulur gjasat për një vullnet të ri të Millosheviqit. Duke ndërtuar paqen në Kosovë, ne do të ndihmojmë në stabilizimin e Ballkanit dhe në këtë mënyrë do të kontribuojmë në një Evropë të tërë dhe të lirë”, ka thënë atëbotë Albright.

Për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, në Prishtinë u zbulua busti për nder të saj.

Po në vitin 2019, Kosova e kishte dekoruar ish-sekretaren Albright me Urdhrin e Lirisë.

Lexo po ashtu Vdes mikja e madhe e shqiptarëve, Madeleine Albright

Gjatë fjalimit në Prishtinë, më 12 qershor të vitit 2019, Albright deklaroi se vendimi për të ndërhyrë në Kosovë “ishte i drejtë”.

​“Aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë dhe më e rëndësishmja është se ia dolëm për arsye se kauza e jonë ishte e drejtë dhe për arsye të qytetarëve të Kosovës përtej të gjitha pyetjeve, praktikave dhe politikave”, ishte shprehur ish-sekretarja Albright.

Albright ka qenë sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.

Ajo ishte Sekretare e Shtetit në periudhën 1997-2001, kur president i SHBA-së ishte Bill Clinton./Telegrafi/

Exit mobile version