Site icon Telegrafi

BILD zbulon shumën që RB Leipzig është gati të shpenzojë për Milot Rashicën

Bundesliga ka rifilluar pas ndalesës dy mujore për shkak të coronavirusit, ndërsa Werder Bremen ka vazhduar me rezultate zhgënjyese.

Werder ka pësuar humbje 1-4 si vendas përballë Bayer Leverkusenit dhe tani mbetja në elitën e futbollit gjerman bëhet edhe më e vështirë.

Njëri nga lojtarët më pak në formë në këtë takim ishte Milot Rashica, me kosovarin që është kritikuar shumë nga mediat gjermane.

E falë kësaj edhe çmimi i tij po shkon duke rënë, pasi Sport Bild shkruan se vështirë që ndonjë skuadër jashtë kufijve të Gjermanisë do të paguajë klauzolën e tij prej 38 milionë eurove.

Megjithatë kjo klauzolë do të hiqet pas 15 qershorit, ashtu si edhe klauzola tjetër që është 15 milionë euro nëse Werderi largohet nga Bundesliga.

Milot Rashica. (Photo by Stuart Franklin/Getty Images)

Sport Bild ka zbuluar ekskluzivisht edhe shumën që skuadra gjermane RB Leipzig është e gatshme ta paguajë për yllin kosovar.

Bardhekuqtë janë gati të shpenzojnë 20 milionë euro për transferimin e yllit kosovar, shumë që Werderin nuk e kënaq aspak.

Katër herë kampionët e Gjermanisë shpresojnë që Rashica t’i rikthehet golave që të mund të fitojnë edhe më shumë nga shitja e tij.

Gjithnjë sipas Sport Bild, skuadra më e interesuar për Milotin mbetet RB Leipzig, por që klubi gjerman nuk e ka ndërmend të rritë ofertën më shumë se 20 milionë euro.

Milot Rashica . (Photo by Stuart Franklin/Getty Images)

Gjithsesi lista e skuadrave të interesuar për Rashicën është e gjatë, pasi në Gjermani ai kërkohet edhe nga Borussia Dortmund e Schalke 04.

23-vjeçari ka zgjuar interesimin edhe të skuadrave angleze si Wolverhamton Wanderers, Liverpool, Brighton, West Ham United, Southampton, Aston Villa e Crystal Palace.

Rashica këtë edicion ka shënuar 10 gola dhe ka bërë pesë asistime mes kampionatit e Kupës, por në Gjermani janë të shqetësuar pasi kosovari nuk ka shënuar që 10 takime në Bundesliga. /Telegrafi/

Exit mobile version