Të martën në mbrëmje, pati një mosmarrëveshje midis Greqisë dhe Turqisë në Detin Mesdhe, përkatësisht në ishullin e vogël afër bregdetit turk, Kasteloriza, i cili pothuajse u përshkallëzua në një konflikt të armatosur.
Thirrja telefonike e kancelares gjermane, Angela Merkel parandaloi luftën – “thënë troç – në minutën e fundit”, shkruan tabloidi gjerman Bild, raporton Deutsche Welle.
Më tej, Bild raporton se arsyeja e konfliktit është shpimet në kërkim të naftës dhe gazit, të cilat Turqia po i kryen në afërsi të ishujve grekë, në një zonë që Greqia e konsideron “zonë ekskluzive ekonomike” (KEE). Është një “zonë deti prej 200 milje detare rreth këtij ishulli”, transmeton Telegrafi.
E përditshmja gjermane mëson gjithashtu se “për shkak të kësaj, 18 anije luftarake turke kishin marrë rrugën drejt ishullit gjatë së martës në mbrëmje”.
Bild gjithashtu shkruan se Greqia ka vendosur ushtrinë në një gjendje gatishmërie të plotë luftarake.
Por atëherë kancelarja gjermane morri frerët në dorë. Ajo së pari telefonoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe më pas kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
Rezultati ishte se Turqia tërhoqi 16 anijet luftarake, por la dy pranë ishullit. Kjo shkaktoi “lehtësime të lëvizjeve nga të dy anët e detit Egje, thekson Bild. /Telegrafi/