Site icon Telegrafi

Bien të hyrat dhe shpenzimet kapitale në Komunën e Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka shënuar rënie në arkëtimin e të hyrave vetjake dhe në shpenzimin e mjeteve në projeksionet kapitale.

Këto të dhëna rezultojnë nga vetë autoritetet komunale. Sipas zëdhënëses së Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu – Bejta, deri në këtë periudhë, nga 27 milionë e 172 mijë euro të planifikuara, si të hyra vetjake janë arkëtuar 16 milionë e 556 mijë e 422 euro, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në fushën e projeksioneve kapitale, ndërkaq, po sipas zëdhënëses Mullafazliu-Bejta janë shpenzuar nga buxheti i 2015-s 9 milionë e 310 mijë e 792 euro. Pa llogaritur 14 milionë e 814 mijë e 648 euro që ishin mjetet të bartura nga vitit 2014, del që deri në këtë periudhë të vitit, janë shpenzuar rreth 38 për qind. Nëse përfshihen edhe mjetet e bartura nga vjet të kësaj kategorie, del që të planifikuara për shpenzime kapitale kanë qenë 39 milionë e 82 mijë e 999 euro.

Për rënien e shkallës së mjeteve të arkëtuara nga mjetet e planifikuara, zëdhënësja e Prishtinës është arsyetuar me mospagesën nga Ministria e Mjedisit për vlerën e premtuar nga shpronësimet, si dhe te taksa për leje ndërtimore më të vogël, e aplikuar po nga kjo ministri, shkaku i faljes së borxheve me vonesa nga Qeveria e Kosovës. Ndryshe nga këto, sivjet, sipas autoriteteve komunale mjetet nga grantet qeveritare janë shpenzuar në masën qind për qind. /Telegrafi/

Exit mobile version