Pas një rritjeje të fortë gjatë dy viteve të fundit, kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë kanë shfaqur shenja ngadalësimi gjatë dy muajve të parë të vitit.
Të dhënat e publikuara nga Eurostat bëjnë të ditur se në janar-shkurt u shënuan gjithsej 1,675 kërkesa për azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian, me një rënie prej 14% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, raporton Monior.
Franca vijon të jetë shteti më i preferuar për azilantët shqiptarë, me 42% të totalit të aplikimeve për janar-shkurt. Praktikat më të forta sociale të këtij shteti vijojnë që të tërheqin shtetas shqiptarë, që shpresojnë për një jetë më të mirë në këtë vend.
Gjermania renditet e dyta, me 23% të totalit, megjithatë një pjesë e madhe e shtetasve shkojnë drejt ekonomisë më të madhe të Evropës me viza pune, duke mos u regjistruar si azilantë.
Italia, që ishte një nga pritësit më të mëdhenj të emigrantëve në vitet e para të tranzicionit, së bashku me Greqinë, vijon të jetë i preferuar, me 20% të totalit.
Gjeografia e aplikantëve shkon deri në Holandë, Suedi, Zvicër, Spanjë, ndonëse në shifra të ulëta (shiko grafikun: Aplikimet për azil të shtetasve shqiptarë në vendet e BE-së, janar-shkurt 2023).
Për vitin 2022, Sipas të dhënave të Eurostat, (që nga viti 2020 i raporton të dhënat për 27 vendet e Bashkimit Evropian pa Mbretërinë e Bashkuar), në total kishte 13.2 mijë aplikime për azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian, niveli më i lartë që nga 2020-a. Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil u rritën me 16%.
Ndërsa të dhënat e tjera, të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit, Mbretëria e Bashkuar dhe të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se numri i aplikimeve për azil gjithsej nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishte 15,925, duke shënuar një nivel rekord për këtë vend.
Së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, numri total i aplikimeve në Evropë arriti në 30 mijë, niveli më i lartë që nga 2006-a. /Telegrafi/