Telegrafi

Papunësia gjatë tremujorit të parë 2021 bie në 25.8 për qind

Na ndiqni në dy llogaritë tona në Twitter, Telegrafi.com dhe Telegrafi Sport.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e parë 2021 është 29.3 për qind, ku punësimi me i lartë është te meshkujt 42.8 për qind, ndërsa te femrat 15.9 për qind, thuhet në raportin e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor me 53 për qind, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë dhe prodhimit me 43.1 për qind të tyre.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.8 për qind, prodhimi me 12.4 për qind, arsimi me 11.1 për qind dhe ndërtimtaria me 9.4 për qind. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 44 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 56 për qind kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, në tremujorin e parë 2021, shkalla e papunësisë është 25.8 për qind.

Krahasuar me tre muajt paraprak, ka një rënie të papunësisë gjatë këtyre tre muajve.

Shkalla e papunësisë në tre muajt e fundit të 2020 në Kosovë ishte 27 për qind..

Papunësia më e theksuar është te femrat me 29.7 për qind krahasuar me meshkujt me 24.2 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 48.6 për qind.

Sipas rezultateve të AFP-së, në tremujorin e parë 2021, fuqia joaktive është mjaft e lartë, 60.5 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 77.3 për qind krahasuar me meshkujt me 43.5 për qind.

Sipas rezultateve, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 39.5 për qind. /Telegrafi/