Telegrafi

Bie numri i aplikimeve në UP, Pupovci: Gjeneratat e reja janë më të pakta

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Dukagjin Pupovci, ka konfirmuar se këtë vit ka rënë numri i të interesuarve për të studiuar në Universitetin e Prishtinës.

Arsye për këtë sipas tij është se gjeneratat e reja janë më të pakta në numër.

“Është normale sepse gjeneratat e reja janë më të pakta në numër, që do të thotë se numri i studentëve potencialë është më i vogël se që ka qenë para një dekade, për shkak të rënies së natalitetit dhe faktorëve të tjerë, e nga ana tjetër edhe oferta është shtuar në Kosovë, pra nuk është UP-ja universiteti i vetëm”, ka thënë Pupovci në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, zëvendësministri ka bërë të ditur se deri më tani, interesimi më i madh i studentëve për të studiuar janë drejtimet si: mjekësia, psikologjia dhe juridiku.

Lexo po ashtu MAShTI publikon rezultatet e Testit të Maturës – mesatarja 78.4 për qind

“Në bazë të të dhënave të tri ditëve të para të aplikimit, interesimi më i madh për regjistrime është në Fakultetin e Mjekësisë, që ka ndodhur edhe më herët, pastaj kemi Psikologjinë, që ka interesim më të madh. Juridiku ka mjaft interesim. Në mesin e 10 degëve më atraktive ndodhet edhe gjuha gjermane, por nuk është asnjëra nga degët e ekonomisë”, ka treguar ai.

Ndryshe, sipas të dhënave të ministrisë, këtë vit në Kosovë testit të maturës i janë nënshtruar rreth 22 mijë nxënës në gjithë vendin.

Arritshmëria mesatare në test është 78.43 për qind. Prej këtij rezultati, kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe është 78.23 për qind, në gjuhën boshnjake 82.26 për qind dhe në gjuhën turke 93.94 për qind. /Telegrafi/