Telegrafi

Bie në hapësirën e ashensorit, vdes 47-vjeçarja në Prizren

Një 47-vjeçare me banim në Prizren, ka vdekur pasi ka rënë në një ashensor në banesën ku po banonte.

Zëdhënësi i policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha se rasti ka ndodhur sonte (enjte) rreth orës 21.

“Ju informojmë se me datë 20.06.2024, rreth orës 20:50 kemi pranuar një informatë për një person të lënduar të dërguar nga Urgjenca në Emergjencën Spitalore. Pasi patrulla është angazhuar në rast, është vërtetuar që rasti kishte ndodhur në Prizren, deri te incidenti kishte ardhur pasi viktima kishte thirrur liftin për ta përdorur, dera e liftit ishte hapur dhe viktima kishte rënë në hapësirën e ashensorit  nga kati i dytë dhe për pasojë viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore”.

“Viktima nuk ka mundur t’u përballojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Nga mjekët e Emergjencës është konstatuar vdekja e personit  H. V., femër,  lindur me 1977 me banim në Prizren. Policia po heton rastin dhe do të veprohet bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin”, tha Bytyqi./Telegrafi/