Telegrafi

Biden zgjodhi si kandidate për nënpresidente një senatore, reagon Clinton dhe Obama

Joe Biden, kandidati demokrat për zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve, ka zgjedhur senatoren e Kalifornisë, Kamala Harris, si kandidate për nënpresidente.

Harris 55-vjeçare u zgjodh senatore për herë të parë në vitin 2017 gjersa ka bërë histori pasi është gruaja e parë me ngjyrë dhe prejardhje indiane që do të garojë për postin e dytë më të rëndësishëm amerikan.

Menjëherë pas këtij lajmi kanë reaguar edhe dy ish-presidentët amerikan, Bill Clinton si dhe Barack Obama.

Ky i fundit përmes rrjeteve sociale ka pohuar se “senatorja është më shumë sesa e përgatitur për punën”, duke shtuar se është “një ditë e mirë për vendin tonë”, transmeton Telegrafi.

“Ajo e ka kaluar karrierën duke e mbrojtur Kushtetutën tonë dhe ka luftuar për njerëzit që kanë nevojë për drejtësi. Kjo është një ditë e mirë për vendin tonë. Tani le ta fitojmë këtë gjë”, shkroi Obama në llogarinë personale të Twitterit.

Gjersa ish-presidenti Clinton e quajti Harris një “zgjedhje të frikshme”. “KamalaHarris do të jetë një partnere e shkëlqyeshme dhe me Joe Bidenin do të bëjnë një ekip të fortë”, shtoi më tutje Clinton.

Theksojmë se kundërshtar të Bidenit dhe Harrisit janë kandidatët republikanë, gjegjësisht presidenti aktual, Donald Trump si nënpresidenti, Mike Pence.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahen më 3 nëntor të këtij viti. /Telegrafi/