Telegrafi

Biden i zemëruar me Obamën dhe demokratët e tjerë, mendon se ata e tradhtuan

Presidenti aktual amerikan, Joe Biden e sheh heshtjen e Barack Obamës për kandidaturën e tij si një formë “tradhtie”, sipas mediave amerikane. Të njëjtin mendim ka edhe për anëtarët e tjerë të rëndësishëm të Partisë Demokratike.

Biden aktualisht ndodhet në shtëpinë private në shtetin federal të Delaware, ku po shërohet nga një infeksion me virusin COVID-19.

Bashkëpunëtorët e 81-vjeçarit zbuluan për mediat amerikane se Biden foli për marrëdhënien e tij me Obamën dhe se ai tha se ndihej i “tradhtuar” dhe “i zemëruar” sepse ish-presidenti amerikan nuk qëndroi pas tij gjatë fushatës kundër kandidaturës së tij për zgjedhjet e nëntorit.

Përveç Obamës, Biden ka një mendim të ngjashëm për demokratët e tjerë që kanë sugjeruar, publikisht ose privatisht, që ai të largohet nga fushata. Po flasim për Bill dhe Hillary Clinton, Nancy Pelosi, Adam Schiff dhe anëtarë të tjerë të lartë të Partisë Demokratike, shkruan skynews.

Pavarësisht kësaj, duket se Biden do të vazhdojë me kandidimin për president amerikan.

Vendimi, nëse Biden do të tërhiqet, do të merret në Konventën Kombëtare Demokratike, e cila do të mbahet nga 19 deri më 22 gusht në Chicago.

Partia Demokratike mund të ketë më shumë kandidatë që vijnë në konventë me shpresën për t’u bërë kandidatë për president të Shteteve të Bashkuara. Përveç zëvendëspresdentes Kamala Harris, më së shumti përmenden Gavin Newsom dhe Gretchen Whitmer, guvernatorët e shteteve federale të Kalifornisë dhe Michiganit. /Telegrafi/