Në një njoftim nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan, Joe Biden tha se qëllimi kryesor i administratës së tij është të zgjasë armëpushimin në Gaza, me synimin për të vazhduar lirimin e sigurt të pengjeve.
Pas një bashkëbisedimi telefonik me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Biden deklaroi se ata do të angazhohen personalisht për të siguruar zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe për të zgjatur pauzën e luftimeve, raporton cnn.
“Për javë të tëra unë kam mbështetur pauzat në luftime duke u angazhuar në dy qëllime kryesore: rritjen e ndihmës për civilët e Gazës dhe lirimin e pengjeve”, pohoi ai.
Biden vuri në dukje se marrëveshja e arritur mes Izraelit dhe Hamasit është strukturuar në mënyrë që të mund të zgjerohej, për të arritur rezultate të tjera.
Lideri amerikan gjithashtu konfirmoi në konferencën për shtyp se katërvjeçarja amerikano-izraelite, Abigail Edan u lirua të dielën, duke shënuar lirimin e parë të suksesshëm të një pengu amerikan që nga fillimi i armëpushimit.
Kryqi i Kuq mori 17 pengje të dielën, duke përfshirë izraelitë dhe shtetas të huaj, konfirmoi ushtria e Izraelit. /Telegrafi/