Telegrafi

Biden i thotë Izraelit se spitali i Gazës ‘duhet të mbrohet’

Siç ishte raportuar më herët, spitali Al Shifa i Gazës ka qenë subjekt i një rrethimi nga forcat izraelite – me jetën e qindra pacientëve, duke përfshirë dhjetëra foshnja të porsalindura, në rrezik.

Mes një numër rrëfimesh prekëse dhe lutjesh të dëshpëruara nga mjekët brenda spitalit, presidenti amerikan Joe Biden ka dhënë ndoshta fjalët e tij më të rrepta në lidhje me veprimet e Izraelit që nga fillimi i dhunës pas sulmeve të Hamasit të 7 tetorit.

Dhe reagimi i tij vjen pasi Al Shifa ka tri ditë që është pa energji elektrike dhe ujë, me armë zjarri dhe bomba që bien jashtë kompleksit duke e bërë situatën më të vështirë, përcjell Telegrafi.

Kështu, në një fjalim në Zyrën Ovale, presidenti amerikan tha se spitali “duhet të mbrohet”.

Lexo po ashtu Izraeli pretendon se ka gjetur një depo armësh të Hamasit dhe shenja pengjesh në bodrumin e një spitali në Gaza

“Është shpresa dhe pritshmëria ime që do të ketë më pak veprime ndërhyrëse në lidhje me spitalin”, citohet të ketë thënë ai.

Siç vë në pah Sky News, Shtetet e Bashkuara kanë qenë vazhdimisht aleati më i rëndësishëm i Izraelit – me vendin që është marrësi më i madh kumulativ i ndihmës së huaj amerikane që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas mediumit në fjalë, Biden deri më tani i ka rezistuar thirrjeve për të ushtruar presion ndaj Izraelit për të shqyrtuar një armëpushim. /Telegrafi/