Telegrafi

Biden: SHBA-ja mund ta sanksionojë personalisht Putinin nëse Rusia e pushton Ukrainën

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden thotë se do të konsideronte sanksione personale ndaj Vladimir Putinit nëse Rusia pushton Ukrainën.

Biden tha se do të kishte “pasoja të mëdha” për botën nëse Rusia bën një lëvizje ndaj kombit, i cili ndodhet në kufirin e saj jugperëndimor.

Komentet i bëri pasi udhëheqës të tjerë perëndimorë përsëritën paralajmërimet se Rusia do të paguante një çmim të rëndë për pushtimin, raporton bbc.

Rusia ka akuzuar SHBA-në dhe të tjerët për “përshkallëzimin e tensioneve” lidhur me këtë çështje dhe mohon se planifikon të hyjë në Ukrainë.

Megjithatë, Moska raportohet se ka dislokuar në rajon mbi 100 mijë ushtarë rusë, transmeton Telegrafi.

Duke marrë pyetje nga gazetarët, Biden u përgjigj “po” kur u pyet nëse do t’i vendoste sanksione personale presidentit rus, Putin.

Ai tha se një lëvizje e tillë përtej kufirit të Ukrainës do të nënkuptonte “pasoja të mëdha në mbarë botën” dhe mund të përbënte “pushtimin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Biden shtoi se ai do të ndihej i detyruar të rriste praninë e NATO-s në Evropën Lindore. “Duhet ta bëjmë të qartë se nuk ka asnjë arsye që askush, asnjë anëtar i NATO-s, të shqetësohet nëse… NATO do t’i dalë në mbrojtje”, tha ai. Por ai përsëriti se nuk kishte plane për të dërguar trupa amerikane në Ukrainë.

SHBA-ja ka vënë gjithashtu 8,500 trupa në gatishmëri – pjesërisht për të ndihmuar në përforcimin e aleatëve të NATO-s – për të cilat Rusia tha se i shkaktoi “shqetësim të madh”.

Kremlini ka thënë se e sheh NATO-n si një kërcënim të sigurisë dhe po kërkon garanci ligjore që aleanca nuk do të zgjerohet më tej në lindje, duke përfshirë fqinjët e Ukrainës.

Rusia ka aneksuar territorin ukrainas të Krimesë në vitin 2014. Pasi forcat ruse morën kontrollin, Krimea votoi për t’u bashkuar me Rusinë në një referendum që Perëndimi dhe Ukraina e konsideruan të paligjshëm.

Rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë gjithashtu zona të Ukrainës lindore pranë kufijve të Rusisë. Ai konflikt ka kushtuar rreth 14 mijë jetë, me një marrëveshje paqeje të vitit 2015 shumë larg realizimit. /Telegrafi/