Presidenti amerikan, Joe Biden, gjendet në Romë dhe takoi Papa Françeskun të premten përpara samitit të parë fizikisht të G20 që nga pandemia, ku do të mblidhen liderët nga 20 ekonomitë kryesore të botës. Samiti vjen përpara bisedimeve të rëndësishme të ndryshimeve klimatike COP26 në Skoci.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, presidenti Biden u takua gjithashtu me presidentin italian, Sergio Mattarella, si dhe aktualisht po zhvillon takim me kryeministrin italian, Mario Draghi.
Presidenti amerikan, gjithashtu pritet ta takojë presidentin francez Emmanuel Macron, i cili do të jetë takimi i tyre i parë që kur u ngritën tensionet diplomatike midis SHBA-së dhe Francës, pasi Australia u tërhoq nga një marrëveshje mbrojtëse me Francën; në vend të kësaj, Australia ra dakord te arritja e nëndetëseve me energji bërthamore përmes një marrëveshje të re me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, që i kushtoi Francës miliarda dollarë.
Në konferencën për ndryshimet klimatike COP26, Biden pritet të riafirmojë përkushtimin e SHBA-së për të marrë veprime kundër ndryshimeve klimatike.
Në anën tjetër, protestuesit janë mbledhur në Londër dhe në mbarë botën të premten, duke kërkuar që financuesit e mëdhenj të heqin fondet për investimet e karburanteve fosile. /Telegrafi/