Telegrafi

Biden në Poloni, pritet të takohet me Dudën dhe krerët e vendeve të krahut lindor të NATO-s

Joe Biden ka arritur të hënën në Varshavë në orët e vona ku pritet të takohet me presidentin polak Andrzej Duda, si dhe me liderët tjerë të vendeve nga krahu lindor i NATO-s.

Biden bëri një vizitë të paparalajmëruar në Kiev të hënën. Vizita u interpretua si një shenjë e mbështetjes së fortë amerikane për Ukrainën, dhe një garanci shtesë se Kievi nuk do të lihet vetëm, transmeton Telegrafi.

“Kur (presidenti rus Vladimir) Putin filloi pushtimin e tij pothuajse një vit më parë, mendoi se Ukraina ishte e dobët dhe Perëndimi ishte i ndarë. Ai mendoi se mund të na përçante. Por gaboi. Kostoja që Ukraina duhet të paguajë është jashtëzakonisht e lartë. Viktimat ishin shumë të mëdha… Ne e dimë se do të ketë ditë, javë dhe vite të vështira përpara nesh”, tha Biden.

Lexo po ashtu Zelensky pas vizitës së Bidenit: E ardhmja e rendit botëror po vendoset në Ukrainë

Në Varshavë, Biden do të mbajë një fjalim mbi mënyrën se si SHBA ka ndihmuar në bashkimin e botës për të mbështetur Ukrainën, dhe do të theksojë mbështetjen e SHBA për krahun lindor të NATO-s.

Së bashku me shtetet baltike, Polonia është anëtarja e NATO-s që ka mbajtur qëndrimin më të ashpër ndaj Rusisë, dhe konsiderohet më e kërcënuara nga agresioni rus.

Vizita e Bidenit duhet të sigurojë mbështetje shtesë për këta anëtarë të NATO-s. /Telegrafi/