Joe Biden ka arritur të hënën në Varshavë në orët e vona ku pritet të takohet me presidentin polak Andrzej Duda, si dhe me liderët tjerë të vendeve nga krahu lindor i NATO-s.
Biden bëri një vizitë të paparalajmëruar në Kiev të hënën. Vizita u interpretua si një shenjë e mbështetjes së fortë amerikane për Ukrainën, dhe një garanci shtesë se Kievi nuk do të lihet vetëm, transmeton Telegrafi.
“Kur (presidenti rus Vladimir) Putin filloi pushtimin e tij pothuajse një vit më parë, mendoi se Ukraina ishte e dobët dhe Perëndimi ishte i ndarë. Ai mendoi se mund të na përçante. Por gaboi. Kostoja që Ukraina duhet të paguajë është jashtëzakonisht e lartë. Viktimat ishin shumë të mëdha… Ne e dimë se do të ketë ditë, javë dhe vite të vështira përpara nesh”, tha Biden.
Në Varshavë, Biden do të mbajë një fjalim mbi mënyrën se si SHBA ka ndihmuar në bashkimin e botës për të mbështetur Ukrainën, dhe do të theksojë mbështetjen e SHBA për krahun lindor të NATO-s.
Së bashku me shtetet baltike, Polonia është anëtarja e NATO-s që ka mbajtur qëndrimin më të ashpër ndaj Rusisë, dhe konsiderohet më e kërcënuara nga agresioni rus.
Vizita e Bidenit duhet të sigurojë mbështetje shtesë për këta anëtarë të NATO-s. /Telegrafi/