Presidenti i SHBA-së, Joe Biden është nisur për në Berlin për të diskutuar pushtimin rus të Ukrainës me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë, ndërsa Kievi u kërkon aleatëve perëndimorë të ndërmarrin hapa urgjent për t’i dhënë fund luftimeve.
Bëhet e ditur se konflikti që po zgjerohet me shpejtësi në Lindjen e Mesme pritet gjithashtu të jetë pjesë e bisedimeve mes liderëve pasi përpjekjet diplomatike për të ndalur luftimet kanë ngecur.
Biden fillimisht ishte planifikuar të mblidhte një takim më të gjerë të mbështetësve ushtarakë të Ukrainës në bazën ajrore amerikane Ramstein në Gjermani javën e kaluar gjatë një vizite të planifikuar shtetërore në vend, e cila do të ishte e para në gati 40 vjet.
Ai e anuloi atë udhëtim për t’u fokusuar në trajtimin e pasojave nga uragani Milton, por po e kompenson atë me vizitën e kësaj jave, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Presidenti tani do të zhvillojë bisedime dypalëshe me presidentin dhe kancelarin gjerman, përpara një takimi të planifikuar me të ashtuquajturin kuadrat evropian.
Ndryshe, lideri amerikan ka pasur një marrëdhënie të ngushtë pune me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe udhëtimi shihet pjesërisht si një shenjë e këtij partneriteti përpara se presidenti të largohet nga detyra në janar.
Udhëtimi i Bidenit vjen mes frikës së një përshkallëzimi më të gjerë të luftimeve në Lindjen e Mesme, në një konflikt në shkallë të plotë midis Izraelit dhe Iranit.
SHBA-ja dhe Gjermania janë aleatë të ngushtë të Izraelit, i cili është bërë gjithnjë e më i izoluar për shkak të fushatës së tij ushtarake në enklavën palestineze të Gazës. /Telegrafi/