Site icon Telegrafi

Biden mbështet anëtarësimin e përhershëm të Unionit Afrikan në G20

Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar mbështetjen për bashkimin e Unionit Afrikan në G20, një forum global për ekonomitë e mëdha, ndërsa Shtetet e Bashkuara kërkojnë të ndërtojnë marrëdhënie më të forta me vendet afrikane.

Duke folur në një ngjarje të Samitit të Liderëve SHBA-Afrikë të enjten, Biden tha se lidershipi dhe inovacioni afrikan ishin kritike për adresimin e disa prej sfidave më të ngutshme të botës, përcjell Telegrafi.

Kjo është arsyeja pse administrata e tij ka shprehur mbështetjen për reformimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të përfshirë një përfaqësues afrikan, si dhe për t’i dhënë Bashkimit Afrikan një vend të përhershëm në G20, tha Biden.

“Afrika duhet të jetë në tryezë në çdo dhomë – në çdo dhomë ku diskutohen sfidat globale dhe në çdo institucion ku po zhvillohen diskutime”, tha ai.

Komentet e Biden mbërrijnë një ditë pasi Uashingtoni zbuloi një sërë investimesh të reja dhe marrëveshjesh tregtare në Afrikë, si pjesë e samitit tre-ditor të liderëve në kryeqytetin amerikan.

Delegatë nga 49 vende afrikane, si dhe nga Bashkimi Afrikan, u ftuan në bisedime, një vazhdim i mbledhjes së parë të tillë tetë vjet më parë nën presidentin e atëhershëm Barack Obama.

Ndërkohë, Biden tha të enjten se së shpejti do të bëjë një vizitë në Afrikën Sub-Sahariane dhe do të dërgojë shumë nga këshilltarët e tij të lartë në këtë kontinent.

Biden do të jetë presidenti i parë i SHBA-së që do ta vizitojë që kur Obama shkoi në Kenia dhe Etiopi në vitin 2015. /Telegrafi/

Exit mobile version