Site icon Telegrafi

Biden kritikon kërkesën e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për urdhër-arrest ndaj liderit dhe zyrtarëve izraelitë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, hodhi poshtë vendimin e prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), Karim Khan, për të kërkuar urdhër-arrest për disa zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Biden tha se vendimi është “i egër” dhe u zotua të qëndrojë me Izraelin ndërsa procesi po zhvillohet.

“Më lejoni të jem i qartë, çfarëdo që ky prokuror të nënkuptojë, nuk ka asnjë ekuivalencë, asnjë midis Izraelit dhe Hamasit. Ne do të qëndrojmë gjithmonë me Izraelin kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij”,  tha presidenti në një deklaratë.

Khan, prokurori i ICC, njoftoi më herët se ai ka aplikuar për urdhër-arrest kundër Netanyahut; Galant; kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh; zyrtarit më të lartë në Gazë, Yahya Sinwar; dhe kreut të krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif.

Bëhet e ditur se vendimi nëse ndonjë prej urdhër-arresteve do të lëshohet përfundimisht i takon një paneli prej tre gjyqtarësh të ICC, i cili do të vlerësojë provat e paraqitura nga zyra e Khan.

Lexo po ashtu Gjykata Ndërkombëtare në Hagë kërkon arrestimin e Netanyahut dhe liderit të Hamasit

Ndryshe, Khan dhe bashkëpunëtorët e tij ishin kërcënuar me hakmarrje nëse ICC-ja do lëshonte urdhër-arreste për zyrtarët izraelitë, shkruan AA, përcjell Telegrafi.

Shtëpia e Bardhë tha se ishte kundër kërcënimeve të zyrtarëve të gjykatës, por pohoi se ICC-ja nuk ka juridiksion mbi Izraelin.

Në një deklaratë të veçantë, Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni “thelbësisht e kundërshton” vendimin e Khan.

“Është e turpshme. Hamasi është një organizatë brutale terroriste që kreu masakrën më të keqe të hebrenjve që nga Holokausti dhe ende mban peng dhjetëra njerëz të pafajshëm, përfshirë amerikanë,” tha diplomati i lartë amerikan në një deklaratë.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta që shumë përpara konfliktit aktual se ICC nuk ka juridiksion mbi këtë çështje”, shtoi ai.

Ndërsa administrata e Biden ka hedhur poshtë juridiksionin e gjykatës mbi Izraelin, ajo lavdëroi vendimin e ICC-së për të lëshuar urdhër-arreste për zyrtarët e lartë rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin. /Telegrafi/

Exit mobile version