Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka kërkuar falje homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, për vonesën në fillim të këtij viti në miratimin e paketës së re me ndihma ushtarake, e cila u bllokua nga opozita republikane në Kongres.
Bëhet e ditur se Biden kërkoi falje ndërsa njoftoi një paketë të re ndihme për Ukrainën në një takim dypalësh me Zelenskyn, shkruan CNN.
“Ju e dini, ju nuk jeni përkulur, nuk jeni dorëzuar fare, ju vazhdoni të luftoni në një mënyrë që është thjesht e jashtëzakonshme, është thjesht e jashtëzakonshme dhe ne nuk do të largohemi nga ju”, tha Biden.
“Kërkoj falje për javët që nuk e dija se çfarë do të ndodhte, për sa i përket financimit, sepse ne patëm vështirësi në miratimin e projektligjit, por ne ia arritëm”, shtoi ai.
Ndryshe, presidenti amerikan e shfrytëzoi rastin edhe për të njoftuar për financimin e radhës, si dhe fondet shtesë për Ukrainën.
“Ne kemi njoftuar paketa me financim të konsiderueshëm”, tha Biden.
Ai shtoi: “Sot po nënshkruaj gjithashtu një paketë shtesë me 225 milionë dollarë për t’ju ndihmuar të rindërtoni rrjetin elektrik”. /Telegrafi/