Presidenti amerikan Joe Biden e ka quajtur homologun e tij rus Vladimir Putin një “kasap” ndërsa ishte në një udhëtim në Poloni ku ka takuar ministra dhe refugjatë ukrainas.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, presidenti amerikan u takua me civilë ukrainas që kishin ikur nga qyteti i rrethuar i Mariupol në Ukrainë për në Poloni.
Kur u pyet se çfarë e kishte bërë të mendonte për presidentin rus Putin, derisa takoi refugjatët ukrainas, ai u përgjigj: “Ai është një kasap”.
Presidenti i SHBA ishte gjithashtu në pallatin presidencial në Varshavë për bisedime me homologun polak Andrzej Duda, në të cilin ai pohoi “angazhimin e palëkundur” të Uashington DC ndaj Polonisë dhe Ukrainës.
Vizita në Poloni ishte gjatë pjesës së fundit të udhëtimit të tij katër-ditor në Evropë, në përpjekje për të ruajtur unitetin midis aleatëve të Ukrainës.
Ndryshe, presidenti amerikan, Joe Biden ditë më parë kishte thënë se beson që udhëheqësi rus, Vladimir Putin “është një kriminel lufte” shkaku i sulmeve në Ukrainë.
Ndërkohë, afër kufirit polak, dy sulme të fuqishme raketash pranë Lviv u raportuan nga këshilli i qytetit.
“Të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të qëndrojnë brenda”, tha zyrtari lokal Igor Zinkevych në një postim në Facebook. /Telegrafi/