Site icon Telegrafi

Biden i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ngritet kundër agresionit rus

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ngrihet kundër, siç tha, agresionit rus, ndërsa i kërkoi administratës së re amerikane të Donald Trumpit që të jetë mbështetëse e fuqishme e Ukrainës.

Biden i bëri këto komente në Kiev, në vizitën e fundit si nënkryetar, transmeton REL.

Ai është shprehur se sanksionet amerikane kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe përfshirjes së Moskës në konfliktin në lindje të Ukrainës, duhet të mbeten në fuqi derisa Moska të zbatojë plotësisht Marrëveshjen e Minskut për Paqe në Ukrainë.

Biden ka theksuar se është e vështirë mbështetja në këtë marrëveshje kur dihet se Rusia refuzon t’i përmbahet asaj.

Duke folur pranë presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, nënpresidenti amerikan në largim ka deklaruar se Ukraina duhet të vazhdojë të angazhohet për sundim të ligjit dhe luftim të korrupsionit.

Poroshenko falënderoi Bidenin për mbështetjen e palëkundur për Ukrainën dhe falënderoi SHBA-në për zgjatjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Exit mobile version