Biblioteka Publike e New Yorkut festoi kthimin e një kopjeje të autobiografisë së Igor Stravinskyt nga viti 1936, 72 vjet pasi ishte huazuar.
Billy Parrott, drejtori i Bibliotekës Stavros Niarchos Foundation, tha se kishte marrë një telefonatë disa ditë para Krishtlindjeve nga dega e bibliotekës në “5th Street”. Situata rezultoi të ishte kthimi i një libri që ishte marrë më 4 prill të vitit 1952 dhe duhej të ishte kthyer dy javë më vonë.
“Ne shpesh marrim libra që kthehen, nga vitet ’80 ose ’90, por rrallë herë ndonjë nga mesi i shekullit”, tha Parrott për Gothamist.
Parrott shpjegoi se libri, autobiografia e Igor Stravinskyt, ishte kthyer nga një burrë, i cili shpjegoi se nëna e tij e kishte marrë librin nga dega e bibliotekës Woodstock në Bronx, ndërsa studionte muzikë në Hunter College. Gruaja nuk kishte arritur kurrë ta kthente librin dhe madje kishte punuar në një degë të Bibliotekës Publike të New Yorkut në Bronx për një periudhë kohe.
Parrott tha se libri nuk do të rikthehet në qarkullim, por do të ruhet “për kuriozitet dhe për historinë interesante.”
Biblioteka ndau foto të librit të humbur prej kohësh në Instagram.
“A keni rastësisht një kopje të autobiografisë së Igor Stravinsky-t nga viti 1936 që është kthyer me vonesë prej 72 vitesh?”, shkruhej në postim.
“A ju pengon frika nga gjobat e vonesës për ta kthyer? Harrojeni! Biblioteka Publike e New Yorkut nuk ka më gjoba që nga viti 2021”, thuhet më tutje. /Telegrafi/